“E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është brenda Bashkimit Evropian” –kështu
lexohej angazhimi i BE-së për të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor dy
dekada më parë. Këto fjalë u përfshinë për herë të parë në Deklaratën e Selanikut
në qershor 2003, por, edhe pse BE nuk është tërhequr kurrë nga ky premtim për
rajonin, që prej asaj kohe vetëm Kroacia është bërë anëtare. Aktualisht, asnjë
vend tjetër nuk është pranë anëtarësimit: një ka marrë statusin e vendit kandidat
(me kusht, dhe një tjetër kohët e fundit ka bërë kërkesën për anëtarësim. Nëse
e krahasojmë me pritshmëritë e mëdha të vitit 2003, situata aktuale është tejet
zhgënjyese.
Gjithsesi, pushtimi në shkallë të gjerë i Ukrainës nga Rusia ka ndryshuar
situatën gjeopolitike në Evropë dhe në të gjithë botën. Krejt papritur, pas shumë
vitesh gjatë të cilave qëllimi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian referohej
si “perspektiva evropiane” në mënyrë që të dukej më pak përcaktuese dhe më
pak kërcënuese për qytetarët e vendeve anëtare të BE-së, numri i kandidatëve
dhe kandidatëve të mundshëm për t’iu bashkuar Unionit u rrit nga shtatë në
dhjetë. Procesi i zgjerimit jo vetëm që është ringjallur, por karakterizohet
tashmë edhe nga një ndjesi qëllimi të ripërtërirë dhe ngutësie. Tani është me
rëndësi të jashtëzakonshme të sigurohemi që procesi të jetë i suksesshëm për
të gjitha vendet e përfshira – si për ato në Ballkanin Perëndimor ashtu edhe për
kandidatët e rinj në Evropën Lindore.