Autorë: Zoran Nechev, Gjergji Vurmo, Donika Emini, Srdjan Majstorović
Ecuria e kohëve të fundit në lidhje me anëtarësimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor (BP6) në Bashkimin Evropian duket se është rasti i një hapi para e dy hapa pas - ose nëse do të përdornim një metaforë nga sporti i futbollit, porta për të shënuar gol duket sikur largohet përherë. Mungesa e progresit konkret dhe njohjes së plotë të progresit të arritur ka filluar të ketë efekt jo vetëm tek elitat politike, por edhe te publiku në përgjithësi. Teksa në pragun e Evropës po trokasin lojtarë të tjerë globalë që kërkojnë të përfitojnë nga rajoni, BE-së i duhet një rrugë bindëse që 6 vendet e BP të anëtarësohen në këtë organizëm. Rruga përpara nuk ka pse të jetë radikale: duhen disa rregullime dhe të menduar në mënyrë krijuese që mekanizmat ekzistues të mund të funksionojnë ende. Por kjo duhet bërë në kontekstin e trajtimit të këtyre vendeve si anëtare të ardhshme të BE-së. Kjo nënkupton që këto vende të përfshihen më shpesh në proceset që BE përdor për të vlerësuar shtetet anëtare aktuale si dhe të gjenden forma që kanalizimi i financimeve të pasqyrojë idenë se të gjashta këto vende janë shtete të ardhshme anëtare. Rishikimi i idesë së “linearizimit” të fondeve drejt BP6 do të ishte një pikë e shkëlqyer nga ku mund të fillohet ashtu si edhe hartimi i një udhërrëfyesi të qartë partneriteti për anëtarësimin në BE, të përshtatur për secilin nga vendet e Ballkanit Perëndimor.